5.8 C
Pristina
E martë, 24 Nëntor, 2020
Home LAJME Serbi i dënuar me 22 vjet burgim kërkon lirim: Nuk do të...

Serbi i dënuar me 22 vjet burgim kërkon lirim: Nuk do të isha kthyer në Kosovë po të isha kriminel

I dënuar me 22 vjet burgim për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Krushë e Vogël, Darko Tasiq po e kërkon pafajësinë e tij në Gjykatën e Apelit.

Përmes ankesës që kanë ushtruar mbrojtësit e tij, avokatët Ljubomir Pantoviq dhe Dejan Vasiq, po kërkohet nga gjykata e shkallës së dytë që Tasiq të lirohet nga akuzat në mungesë të provave apo që kjo çështje të kthehet në rigjykim në shkallë të parë.

E këtë ankesë të mbrojtjes e ka kundërshtuar Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), e cila Apelit i ka propozuar që të vërteton aktgjykimin e shkallës së pare.

Ankesa e mbrojtjes së Tasiq, përgjigja e PSRK-së si dhe propozimi i Prokurorisë së Apelit u shqyrtuan të hënën nga një kolegj i Departamentit Special të Gjykatës së Apelit, në përbërje nga gjyqtarët, Kreshnik Radoniqi, Burim Ademi dhe Milan Bigoviq.

Gjykata Themelore në Prizren, më 22 qershor 2020, e kishte shpallur fajtor të akuzuarin Darko Tasiq, për krime lufte kundër popullatës civile në fshatin Krushë e Vogël.

Ndaj të akuzuarit Tasiq, trupi gjykues kishte shqiptuar dënim unik me 22 vjet burgim efektiv, pasi që paraprakisht i kishte shqiptuar shtatë vjet burg për plaçkitje, shkatërrim të qëllimshëm dhe sulm të rëndë dhe mizor ndaj dinjitetit njerëzor dhe 16 vjet të tjera për veprën sulm të rëndë dhe mizor ndaj dinjitetit personal dhe njerëzor.

Mirëpo, sipas mbrojtjes së të akuzuarit, ky aktgjykim i Gjykatës në Prizren nuk përmban arsye mbi faktet vendimtare dhe ato arsye që janë dhënë, sipas mbrojtjes, janë plotësisht të paqarta çka e bën aktgjykimin të pakuptueshëm.

Sipas ankesës së mbrojtjes, asnjë nga dëshmitarët nuk e kanë përmendur emrin e të akuzuarit Tasiq gjatë fazës së hetimeve, me përjashtim të një dëshmitari. Gjithashtu, mbrojtja thekson në ankesë se gjykata ka tejkaluar autorizimet e saj kur kishte aplikuar ligjin që nuk ishte dashur të aplikohet në këtë rast.

Në këtë kontekst, mbrojtja ka cekur në ankesë disa vendime të Gjykatës Evropiane të Drejtave të Njeriut (GJEDNj), të marra për raste të Bosnjës, e ku është udhëzuar që për krimet që janë kryer në atë kohë duhet zbatuar legjislacioni i Jugosllavisë. Në këtë rast, sipas mbrojtjes, dënimi më i lartë që mund të shqiptohet ka qenë deri në 15 vjet, përjashtimisht deri në 25 vjet  në rastet kur është parapa dënimi me vdekje.

Sa i përket disa provave materiale, siç është një fletore me emra të disa personave, mbrojtja e të akuzuarit pretendon se në atë kohë kishte ndodhur një vrasje e dyfishtë e dy bujqve serb çka kishte shtyrë banorët tjerë serb të fshatit të bënin roje me radhë dhe për këtë arsye në fletore gjendet edhe emri i të akuzuarit Tasiq.

Pasi dëgjoi referimin e ankesës së PSRK-së dhe propozimin e Prokurorisë së Apelit, avokati Pantoviq tha se as njëra e as tjetra nuk e vënë në pikëpyetje bazueshmërinë e ankesës së bërë nga mbrojtja.

Pantoviq tha se asnjëherë nuk e kanë kontestuar krimin e rëndë që ka ndodhur në Krushë veçse shtoi se i mbrojturi i tij nuk është akuzuar për vrasje dhe siç tha, në aktakuzë askund nuk mund të gjendet fjala vrasje.

“Të gjithë dëshmitarët kanë dëshmuar për vrasje të fqinjëve të tyre dhe përjetime të tyre gjatë asaj kohe e më së paku kanë dëshmuar për Darko Tasiqin. Janë nxjerr provat nga aksionet e ushtrisë në Prizren, marrëdhëniet me ushtrisë dhe UÇK-së, kena shiku filma dokumentar nga dy orë dhe në atë film përmenden emrat e 30 serbëve që kanë jetuar aty dhe kanë folur rreth 100 shqiptar dhe askush nuk e përmendin emrin e Darko Tasiq”, tha Pantoviq në fjalën e tij para kolegjit të Apelit.

Avokati Pantoviq kontestoi kredibilitetin e dëshmitarëve në këtë rast, pasi siç tha, të njëjtit i kishin ndërruar deklaratat e dhëna gjatë fazës së hetimeve me ato të dhënë në shqyrtim gjyqësor.

Sipas Pantoviqit, të gjithë dëshmitarët që janë dëgjuar gjatë gjykimit në shkallë të parë janë dëgjuar edhe gjatë hetimeve dhe numri më i madh i tyre nuk e kanë përmendur emrin e Darko Tasiq si kryes i veprës penale për çka akuzohet.

“Janë pyetur direkt dëshmitarët nëse e kanë parë Darko Tasiqin duke gjuajtur në kamionin me viktima dhe kanë thënë jo, ndërsa kur kanë ardhur në gjykatë kanë thënë se “po e kemi parë”, tha Pantoviq.

Një ndër arsyetimet se pse dëshmitaret nuk e kishin përmendur emrin e Tasiqit gjatë hetimeve, siç tha avokati, kishte qenë se gjatë marrjes në pyetje ishte ndalur rryma dhe nuk ishte arritur të shkruhet edhe emri i të akuzuarit.

“Në aktgjykim askund nuk theksohet se pse këto deklarata janë ndërru”, tha Pantoviq, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Vet i akuzuari Tasiq tha se nuk ka qenë kurrë i angazhuar as në polici e as në ushtri. Po ashtu, Tasiq tha se për kamionin që përmendet në aktgjykim, kurrë nuk e kishte parë ndërsa për akuzat për plaçkitje, Tasiq tha se nuk kishte qenë “adet” i familjes së tij veprime të tilla.

“Për çka më akuzojnë fqinjët, e dinë ata më së miri a është ashtu a jo. Për mu dënimi më i madh është ai i Zotit dhe le të më dënon ai. Nëse i kisha bo këto që thonë, unë kurrë s`isha ardh në Kosovë më. Unë jom ardh në Kosovës se e kom fytyrën dhe duart e pastra”, tha Tasiq.

E ankesën e mbrojtjes e ka kundërshtuar PSRK, e cila në përgjigjen e saj ka theksuar se gjendja faktike në këtë rast është vërtetuar drejtë dhe në mënyrë të plotë. Sa i përket dënimit të shqiptuar, PSRK ka cituar disa vendime të gjykatave në të cilat janë shqiptuar dënime deri në 20 vjet burgim duke kontestuar pretendimin e mbrojtjes se dënimi i shqiptuar nuk është konform ligjit.

Prokuroria e Apelit përmes një parashtrese i ka propozuar gjykatës së shkallës së dytë që të refuzon ankesën e mbrojtjes dhe të vërteton aktgjykimin e shkallës së parë.

“Mbes prapa përgjigjes, nuk tjetër çka me shtu”, tha në fjalën e tij, prokurori i Apelit, Xhevdet Bislimi.

Ndryshe, ky rast zhvillohet në bazë të aktakuzës së PSRK-së, me të cilën i akuzuari Darko Tasiq, akuzohet se gjatë muajit mars 1999, ka kryer krime lufte ndaj popullsisë civile të fshatit Krushë e Vogël, të Komunës së Prizrenit.

Sipas aktakuzës, Tasiq akuzohet se fillimisht gjatë periudhës 15 – 26 mars 1999, ka marrë pjesë së bashku me forcat policore dhe para ushtarake serbe, për të plaçkitur dhe shkatërruar pasuritë e popullsisë civile, duke djegur shtëpi, duke marrë automjetet bujqësore dhe sendet tjera me vlerë të të fshatarëve në përgjithësi dhe familjes Hajdari në veçanti.

Aktakuza e PSRK-së e ngarkon të akuzuarin Tasiq edhe me përdhosjen e trupave të pajetë, duke i djegur kufomat së bashku me forcat tjera policore dhe paramilitare dhe duke i hedhur kufomat në lumin Drin, në një vend jashtë fshatit Krushë e Vogël.

Sipas aktakuzës, i akuzuari me veprimet e tij ka kryer sulm mizor kundër dinjitetit njerëzor dhe kërkohet që i njëjti të dënohet sipas ligjit aktual me jo më pak se 5 vjet burgim ose me burgim afatgjatë ose sipas ligjit të mëhershëm, me jo më pak se 5 vjet ose deri në 20 vjet burgim efektiv. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here

POPULLARIZUARA

Pas rrokullisjes me traktor vdes një 48-vjeçar në Potok të Podujevës

Një 48-vjeçar ka vdekur në fshatin Potok të Podujevës. Kjo si pasojë e një aksidenti me traktor.

Osmani mban takim virtual me Ambasadorin amerikan Philip Kosnett

Në vazhdën e takimeve të rregullta, sot ushtruesja e Detyrës së Presidentes, njëherit Kryetare e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, ka biseduar...

Cikalleshi dyfishon epërsinë

Sulmuesi Sokol Cikalleshi, ka shënuar edhe golin e dytë për Shqipërinë. Cikalleshi realizoi nga pika e bardhë në minutën...

Një muaj paraburgim ndaj të dyshuarit që kërcënoi nënën me sëpatë

Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti i Përgjithshëm, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Prizrenit, për caktimin e masës një muaj paraburgim...

KOMENTET E FUNDIT